Seanca e cila po zhvillohet këtë të premte në Gjykatën Administrative të Tiranës për padinë e kryebashkiakut Erion Veliaj ndaj prokurorit Ols Dado është shoqëruar edhe me praninë e shumë figurave të njohura të artit dhe muzikës.
Artistë, aktorë dhe këngëtarë janë parë duke hyrë në ambientet e gjykatës për të ndjekur nga afër seancën ku po shqyrtohet kërkesa e Veliajt për shpalljen të pavlefshme të emërimit të Dados si prokuror në vitin 2008.
Në rrjet nuk kanë munguar ironitë, teksa shumë komentues i kanë quajtur figurat publike të pranishme si “çerrat” e Veliajt, për shkak të mbështetjes së hapur ndaj tij në këtë proces gjyqësor.
Vëmendjen më të madhe e mori aktori Robert Ndrenika, i cili u shfaq i përlotur gjatë takimit me Veliajn. Ai e përqafoi dhe e puthi në ballë kryebashkiakun, në një moment që u bë viral në rrjetet sociale.


