Vlora pritet të hyjë në një fazë të re të organizimit urban, teksa është planifikuar ndërtimi i një parkimi të madh nëntokësor në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, përgjatë vijës bregdetare të Lungomare.
Sipas projektit teknik “Construction of the Underground Parking Building, Vlora”, struktura do të ndërtohet plotësisht nën tokë dhe do të ofrojë rreth 295 vende parkimi. Ky investim synon të adresojë një nga problemet më të mëdha të qytetit, mungesën kronike të parkimeve dhe trafikun e rënduar, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Projekti parashikon hyrje dhe dalje të dedikuara për automjetet përmes një rampe të projektuar për përballimin e fluksit të lartë. Brenda parkimit, hapësira do të organizohet me korsi të qarta dhe sipas standardeve bashkëkohore, duke garantuar një lëvizje të kontrolluar dhe efikase për drejtuesit e mjeteve.
Ndërkohë, në sipërfaqe mbi strukturën nëntokësore janë planifikuar edhe hapësira funksionale, si ambiente shërbimi, tualete publike dhe zona teknike, duke e kthyer këtë projekt në një zhvillim multifunksional dhe jo thjesht një vend parkimi.

Vendndodhja e tij konsiderohet strategjike, pasi ndodhet në zemër të zonës turistike, me akses të drejtpërdrejtë nga rruga kryesore dhe pranë zonave rekreative buzë detit.
Me një vlerë që kap mbi 595 milionë lekë dhe me një afat punimesh prej rreth 24 muajsh, ky projekt shihet si një hap konkret drejt modelit të qyteteve moderne europiane, ku parkimi zhvendoset nëntokë për t’i lënë më shumë hapësirë këmbësorëve dhe jetës publike në sipërfaqe.


