Qarkullimi në juglindje të vendit po përballet me një situatë kritike, pas dëmtimeve të rënda në disa prej akseve kryesore kombëtare. Pas bllokimit të aksit Librazhd–Pogradec, lëvizja e automjeteve u devijua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në itinerarin Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, por edhe ky segment rezulton problematik dhe me shembje të konsiderueshme përgjatë gjithë gjatësisë së tij.
Sipas Policisë së Korçës, në rrugën e Lozhanit do të lejohet vetëm qarkullimi i automjeteve të vogla, ndërsa autobusët dhe kamionët nuk do të mund të kalojnë, për shkak të dëmtimeve të shumta në trupin e rrugës. Masat janë marrë për të shmangur rrezikun për përdoruesit e saj, pasi rrëshqitjet e dherave dhe gurëve nga shpatet malore kanë qenë të vazhdueshme që prej përurimit të aksit.
Rruga Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh ka pësuar çarje të theksuara të asfaltit, rrëshqitje anësore si dhe deformime të barrierave mbrojtëse, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë dhe standardet e ndërtimit. Situata paraqitet alarmante edhe në aksin e njohur si “i florinjtë”, Qukës–Qafë Plloçë, ku janë raportuar probleme të ngjashme me stabilitetin e segmentit rrugor.
Qarkullimi nga juglindja drejt Elbasanit dhe Tiranës po shkon drejt kolapsit, ndërsa shembjet e njëpasnjëshme në këto akse kombëtare ngrenë dyshime të forta mbi cilësinë e punimeve, mënyrën e mirëmbajtjes nga kontraktorët dhe mbikëqyrjen teknike nga institucionet përgjegjëse.
Ndërtimi i aksit Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh ka kushtuar rreth 1.4 miliardë lekë, ndërsa aksi Qukës–Qafë Plloçë ka kapur vlerën e 260 milionë eurove. Megjithatë, këto investime të konsiderueshme publike duket se nuk i rezistuan as shirave të parë të vjeshtës, duke sjellë jo vetëm kosto ekonomike, por edhe rrezik real për jetën e qytetarëve.
Situata kërkon ndërhyrje urgjente dhe transparencë mbi përgjegjësitë, në një kohë kur infrastruktura rrugore, në vend që të garantojë siguri dhe zhvillim, po kthehet në burim shqetësimi për mijëra drejtues mjetesh.


