Mes zhvillimeve në Hagë dhe protestave në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Kosova sot shënon 18-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë – një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të saj.
Më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, 109 deputetë votuan pro shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Deklarata historike u lexua nga kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi, në prani të presidentit Fatmir Sejdiu dhe deputetëve të Kuvendit, duke vulosur një rrugëtim të gjatë për liri dhe shtetësi.
Nga lufta te shpallja e shtetit
Pavarësia erdhi pas një periudhe të gjatë përballjesh dhe sakrificash, përfshirë luftën e viteve 1997–1999 dhe ndërhyrjen ndërkombëtare që çoi në vendosjen e administratës së OKB-së në Kosovë. Pas negociatave të gjata në Vjenë, i dërguari special i OKB-së, Martti Ahtisaari, paraqiti në vitin 2007 planin për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës.
Një tjetër moment kyç erdhi më 22 korrik 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha opinionin këshillëdhënës se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke i dhënë legjitimitet të mëtejshëm shtetit më të ri në Evropë.
Sot, 18 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova vazhdon të përballet me sfida politike dhe diplomatike, veçanërisht në raport me Serbinë, e cila ende nuk e njeh pavarësinë e saj. Paralelisht, zhvillimet në Hagë dhe proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë rikthyer debatet dhe ndarjet në opinionin publik.
Megjithatë, për shumicën e qytetarëve, 17 shkurti mbetet simbol i sakrificës, unitetit dhe aspiratës për integrim euroatlantik. Flamujt kuqezi dhe ata të Kosovës valëviten në Prishtinë dhe në mbarë vendin, ndërsa përvjetori shënohet me aktivitete zyrtare dhe festive.
Në këtë 18-vjetor, përveç festës, rikthehet edhe një debat i hershëm: a duhet të bashkohet Kosova me Shqipërinë dhe nëse po, kur dhe si mund të realizohej një proces i tillë? Një çështje që mbetet politike, diplomatike dhe e ndjeshme, por që vazhdon të diskutohet në hapësirën publike shqiptare.
Sot, mbi të gjitha, 17 shkurti mbetet një ditë krenarie dhe kujtese për të gjithë ata që kontribuuan në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.


