Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka mbyllur hetimet për vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu, pas një ndërhyrjeje dentare në klinikën “Splendent” rreth 3 vite më parë. Hetimi ka identifikuar shkelje të rënda të protokolleve mjekësore gjatë ndërhyrjes dhe anestezisë, të cilat janë shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë i vdekjes së fëmijës. Shtatë persona janë dërguar në gjyq, duke përfshirë stomatologët Roland Xhaxho, Ina Xhaxho, Marta Gina si dhe mjekët e pediatrisë dhe ekspertët mjekoligjorë për shkelje të protokolleve dhe mashtrim ndaj prindërve.
Hetimi zbuloi se ndërhyrja dentare ishte më e gjerë se sa duhej për një fëmijë 3-vjeçar dhe zgjati rreth 5 orë, duke rritur rreziqet e anestezisë dhe infeksioneve. Prindërit e të miturit ishin mashtruar me pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që autopsia tregoi se 6 prej tyre nuk ishin mbushur. StomatologëtIna Xhaxho dhe Marta Gina, akuzohen për “Vrasje nga pakujdesia”, “Mashtrim” dhe ushtrim të paligjshëm të aktivitetit, ndërsa hetimi konfirmoi shkelje të protokolleve edhe nga mjekët e spitalit dhe ekspertët e I.M.L.-së.
Ekspertët italianë dhe hetimet mjekoligjore konkluduan se shoku septik i rëndë, i shkaktuar gjatë procedurës dentare dhe anestezisë, ishte shkaku kryesor i vdekjes së Brian Spahiut. Prokuroria vlerëson se mosveprimet dhe veprimet e papërshtatshme të të pandehurve gjatë ndërhyrjes dhe trajtimit pas saj lidhen drejtpërdrejt me humbjen tragjike të jetës së fëmijës, duke nxjerrë në pah përgjegjësinë penale të tyre.
A është ky artikull etik? Nëse jo,
Na kontaktoni
A është ky artikull etik? Nëse jo,
Na kontaktoni


