Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Sarandës, ku një person ka humbur jetën si pasojë e një atentati me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është Rexhep Ismaili, pronar i një karburanti në zonë. Mësohet se ai është qëlluar me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, ndërsa dyshohet se ka marrë një plumb në kokë, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Menjëherë pas raportimit të të shtënave, efektivë të shumtë kanë mbërritur në vendngjarje, duke rrethuar perimetrin dhe nisur hetimet intensive për zbardhjen e plotë të atentatit.
Burime pranë vendit të ngjarjes bëjnë me dije se grupi hetimor po punon për grumbullimin e provave, këqyrjen e kamerave të sigurisë dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.
Deri më tani nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga policia lidhur me detajet e para të ngjarjes.


