Autoritetet policore greke kanë nisur kërkimin e 64-vjeçarit shqiptar Mark Preci, i akuzuar për sulm seksual ndaj një vajze 25-vjeçare me aftësi ndryshe në shtëpinë e saj në Kypseli.
Incidenti ka ndodhur të dielën në mëngjes, kur shqiptari hyri në shtëpinë ku jetojnë dy binjakë me aftësi të kufizuara, ndërsa nëna e tyre ishte larguar për pak minuta në farmaci. Sipas saj, gjatë mungesës së saj, ai dyshohet se ka ngacmuar seksualisht njërën nga vajzat, ndërsa tjetrën e ka sulmuar fizikisht.
Ngjarja është filmuar, dhe imazhet tregojnë lëvizjet e autorit disa minuta para sulmit. Kur nëna e vajzave u kthye, e gjeti shqiptarin duke ngacmuar njërën prej vajzave. Ajo reagoi duke e goditur me tigan, por ai iu kundërpërgjigj me grushta, duke sulmuar edhe vajzën tjetër. Në përpjekje për ta ndaluar, nëna mori një thikë dhe filloi ta ndiqte, ndërsa shqiptari u largua nga vendi i ngjarjes.
Rasti ka shqetësuar banorët e zonës, ndërsa Policia greke i bën thirrje çdo personi që ka informacion të kontaktojë menjëherë shërbimet kompetente.


