Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për kryetaren e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, e akuzuar për përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore.
Sipas kërkesës së prokurorisë, në rast të gjykimit të shkurtuar, dënimi do të ulej në 1 vit burgim dhe do të pezullohej për 2 vite, duke përfshirë edhe vendosjen në shërbim prove.
Prokurorja e çështjes, Dorina Bejko, ka kërkuar gjithashtu një masë shtesë, që e ndalon kryetaren e Bashkisë të ushtronte funksione publike për 5 vjet.
Akuza ka të bëjë me shfrytëzimin e pozitës zyrtare në favor të aktiviteteve me karakter politik ose zgjedhor, duke shkelur ligjin dhe parimet e barazisë në procesin publik.
Çështja tani i takon Gjykatës së Posaçme, e cila do të vendosë mbi përgjegjësinë penale.


