Aksi rrugor Radhimë–Orikum është kthyer në një makth për banorët dhe drejtuesit e mjeteve pas reshjeve të fundit të shiut. Prurjet e shumta të përroit të Radhimës kanë bërë që uji të dal duke pushtuar rrugën dhe duke e mbuluar atë me baltë, gurë dhe inerte.
Sipas banorëve të zonës, kjo situatë përsëritet sa herë që ka reshje intensive, pa asnjë masë parandaluese apo ndërhyrje afatgjatë. Uji që rrjedh mbi asfalt jo vetëm vështirëson qarkullimin, por krijon rrezik serioz për aksidente. Automjetet detyrohen të kalojnë mes pellgjeve dhe gurëve të shpërndarë në rrugë.
Ky segment ka rëndësi të veçantë, pasi lidh zonat bregdetare me qytetin e Vlorës dhe përdoret gjerësisht si nga banorët, ashtu edhe nga turistët, veçanërisht gjatë sezonit veror. Megjithatë, mungesa e sistemimit të përroit dhe kanalizimeve anësore po e kthen këtë aks në një pikë problematike sa herë që moti përkeqësohet.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin , ndërtimin e mbrojtjeve anësore dhe sistemim të plotë të rrjedhës së ujërave, në mënyrë që rruga të mos përmbytet pas çdo shiu.
Aksi rrugor Radhimë–Orikum është kthyer në një makth për banorët dhe drejtuesit e mjeteve pas reshjeve të fundit të shiut.