Fundjava ka sjellë fluks të rënduar të automjeteve në juglindje të vendit, ku qindra drejtues u përballën me pritje të gjata në aksin Korçë–Tiranë.
Situata u përkeqësua këtë të shtunë pasi rruga alternative Moglicë–Lozhan u bllokua për disa orë nga trajlerë të rëndë, që penguan kalimin e mjeteve. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, një korsi e segmentit u hap, duke lejuar rifillimin e qarkullimit.
Qarkullimi tani po kryhet me alternim, nën mbikëqyrjen e punonjësve të policisë, për të shmangur kaosin dhe për të menaxhuar fluksin e lartë të automjeteve.
Ndërkohë, në segmentin Maliq–Gramsh janë krijuar kolona të gjata, kryesisht nga mjetet që po kthehen nga Korça drejt Tiranës pas fundjavës. Pamjet nga zona tregojnë automjete në lëvizje të ngadaltë, duke e bërë udhëtimin drejt kryeqytetit më të vështirë se zakonisht.
Autoritetet këshillojnë drejtuesit e automjeteve të planifikojnë më herët udhëtimet dhe të shmangin oraret me fluks të lartë, për të reduktuar pritjet dhe vonesat në aks.


