Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme pranë rrethrrotullimit të Çoles, në lagjen “24 Maji” në Vlorë.
Sipas informacioneve paraprake, i plagosuri sapo kishte dalë nga një lokal bar-kafe në zonë dhe po afrohej drejt automjetit të tij tip “Ford”, me ngjyrë të bardhë. Në ato momente, pranë tij është afruar një person i veshur me kaskë, i cili lëvizte me motor.
Dyshohet se autori ka hapur zjarr në drejtim të tij, duke e plagosur, dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Paraprakisht mësohet se i plagosuri ka marrë një plagë në këmbë.
Menjëherë pas ngjarjes, ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Gjendja e tij shëndetësore ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht.
Forca të shumta policie kanë mbërritur në zonë dhe kanë rrethuar vendin e ngjarjes, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për dokumentimin e plotë të rastit. Paralelisht po kryhen veprime hetimore dhe po verifikohen kamerat e sigurisë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Rrethanat dhe motivet e kësaj plagosjeje mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet vijojnë.


