Janë shënuar ndryshime në drejtimin e sistemit të burgjeve në vend. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, është liruar nga detyra me vendim të Ministrit të Drejtësisë, i cili ka firmosur shkarkimin e tij nga ky post.
Burime bëjnë me dije se në vend të tij është emëruar Adriatik Kupi, i cili pritet të marrë drejtimin e institucionit në një moment të rëndësishëm për sistemin penitenciar.
Deri në këto momente nuk ka një njoftim zyrtar mbi arsyet e këtij ndryshimi, ndërsa pritet që në vijim të ketë më shumë detaje lidhur me vendimmarrjen dhe objektivat e drejtuesit të ri.
Kujtojmë se Adriatik Kupi ka mbajtur më herët disa poste drejtuese në administratën publike. Ai ka qenë administrator i Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë, si dhe ka ushtruar detyrën e drejtorit në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).
Emërimi i tij në krye të Burgjeve vjen në një kohë kur ky institucion përballet me sfida të shumta, duke filluar nga menaxhimi i sigurisë deri te përmirësimi i kushteve për të dënuarit.


