Drejtoresha e muzeut më të madh në botë, Laurence des Cars, ka dhënë dorëheqjen katër muaj pas grabitjes së bujshme në muzeun e Luvrit, ku u vodhën bizhuteri napoleonike me vlerë rreth 88 milionë euro.
Dorëheqja iu paraqit presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili – sipas Pallatit Elize – e konsideroi vendimin si një “akt përgjegjësie”. Presidenca theksoi se Luvri ka nevojë për qetësi dhe një shtysë të re të fortë për të çuar përpara projektet madhore që lidhen me sigurinë dhe modernizimin e institucionit.
Ngjarja që tronditi Francën ndodhi në galerinë Apollo. Një bandë hajdutësh përdori një ashensor mobiljesh për të hyrë nga një dritare, thyen vitrinat dhe morën bizhuteritë brenda vetëm shtatë minutash. Më pas u larguan me skuterë. Deri tani janë arrestuar katër persona, por sendet e vjedhura nuk janë gjetur ende.
Paralelisht, policia po heton edhe një skemë të dyshuar mashtrimi me bileta me vlerë 10 milionë euro. Në fillim të muajit u arrestuan nëntë persona, mes tyre dy punonjës të muzeut dhe disa guida turistike.
Situata në Luvër ka qenë e tensionuar edhe për shkak të grevave të sindikatave, të cilat kanë kërkuar:
- rinovime urgjente,
- rritje të stafit,
- përmirësim të kushteve të sigurisë,
- kundërshtim të rritjes së çmimeve të biletave për vizitorët jashtë BE-së.
Dorëheqja e des Cars vjen në një moment delikat për Luvrin, që përveçse simbol kulture, është edhe një nga atraksionet turistike më të vizituara në botë. Tashmë pritet emërimi i një drejtuesi të ri, ndërsa hetimet për grabitjen dhe mashtrimin vijojnë.


