Dylber Shuli, 90-vjeçari nga fshati Gurras i Pogradecit, jeton prej 12 vitesh me shpresën se një ditë do të shohë nipërit dhe mbesat e tij të rikthehen në shtëpi nga kampet në Siri.
Në tetor të vitit 2013, djali i tij Krenari, së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët, u larguan nga Shqipëria për në Siri. Gjatë qëndrimit atje, familja solli në jetë edhe një fëmijë tjetër. Më pas, prindërit humbën jetën, ndërsa fëmijët mbetën në kampet siriane.
Kthimi i Eva Dumanit në Shqipëri i ka rikthyer shpresën Dylberit, i cili bën apel që edhe pjesëtarët e tjerë të familjes të rikthehen në vendlindje.
Pas vdekjes së të birit dhe nuses, barra e kujdesit për fëmijët ra mbi vajzën e madhe, Elonën, e cila ka kujdesur për tre fëmijët e mbetur dhe më pas është bërë nënë e një djali tjetër. Për vite me radhë, Elona ka ruajtur komunikimin me familjarët në Shqipëri dhe ka kërkuar ndihmë për kthimin e fëmijëve.
Dylber Shuli thotë se e vetmja dëshirë e tij është të shohë nipërit dhe mbesat e tij dhe të mbushë oborrin e shtëpisë me ta, duke i dhënë fund makthit që zgjat prej më shumë se një dekade.
“Çdo ditë që kalon është një pritje. Dua t’i shoh edhe njëherë para se të vdes,” thotë gjyshi, me shpresën se një ditë familja e tij do të jetë përsëri e bashkuar.


