Në një kohë kur qytetarët ndëshkohen me gjoba për çdo ndërhyrje të vogël në hapësirën e tyre, një gardh i rregulluar pa leje, një dritare e hapur pa autorizim, duket se një standard tjetër aplikohet për korporatat e mëdha. Një rast flagrant ka dalë në qendër të Tiranës, ku Raiffeisen Bank ka zaptuar hapësirën publike, duke shndërruar 70 metra katrorë trotuar në pronë të saj private, pa asnjë leje apo dokumentacion ligjor.

Ngjarja ndodhi në pjesën e pasme të godinës së bankës, që lidh dy nga akset kryesore të kryeqytetit Rrugën e Kavajës me Rrugën e Durrësit. Në këtë lagje të njohur për ritmin e lartë të jetës urbane, banka vendosi të zgjerojë hapësirat e saj duke “gëlltitur” trotuarin e qytetarëve dhe duke e kthyer atë në një depo teknike të hapur. Brenda këtij rrethimi metalik u vendosën sisteme të mëdha kondicionimi dhe gjeneratorë, të cilët krijuan zhurmë dhe nxehtësi, duke rënduar ndjeshëm jetesën e banorëve përreth.
Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) konstaton se të gjithë këto punime janë kryer pa asnjë dokumentacion ligjor. Pas ankesave të shumta të qytetarëve, IMT ndërhyri, gjobiti bankën dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm të hapësirës publike. Por Raiffeisen Bank zgjodhi rrugën e gjyqësorit për të mbrojtur zaptimin. Vetëm pak javë më parë, Gjykata i dha të drejtë IMT-së, duke vulosur se banka ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe duhet të paguajë gjobën përkatëse.

Ajo që ngre më shumë dyshime është që institucionet kontrolluese duket se kanë qenë të verbëra përballë shkeljes së qartë. Edhe pse qeveria monitoron territorin me satelitët Albania 1 dhe 2, askush nuk e pa rrethimin metalik prej 70 metrash katrorë në mes të kryeqytetit. Po ashtu, mungesa e reagimit nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake gjatë kohës së ndërtimit pa leje ngre pyetje të forta mbi tolerimin e qëllimtë ndaj aktorëve të mëdhenj ekonomikë, ndërsa ligji vazhdon të jetë i rreptë vetëm ndaj qytetarëve të thjeshtë.
Tashmë mbetet vetëm të shihet nëse fadromat do të veprojnë po aq shpejt sa në rastet e tjera për t’ua kthyer trotuarin qytetarëve të Tiranës.


