Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një debat të fortë me gazetaren e PRO TV Romania, Camelia Dontu, gjatë një komunikimi me mediat, pas pyetjeve të saj lidhur me projektin turistik në ishullin e Sazanit.
Përplasja nisi kur gazetarja insistoi se Rama kishte deklaruar se projekti ishte anuluar. Kryeministri e kundërshtoi menjëherë, duke theksuar se nuk kishte bërë kurrë një deklaratë të tillë dhe se në fakt ende nuk ekziston një projekt i finalizuar për Sazanin.
“Po më vini në gojë fjalë që nuk i kam thënë”, iu drejtua Rama gazetares, duke shtuar se ajo kishte ardhur me “kokën e mbushur plot me gënjeshtra” dhe se po insistonte mbi informacione të pasakta.
Sipas kreut të qeverisë, projekti i përfolur nuk lidhet drejtpërdrejt me ishullin e Sazanit, por me një investim turistik që pritet të zhvillohet në zonën e Zvërnecit. Ai sqaroi se nuk ka pasur asnjë vendim apo njoftim për anulim, pasi projekti nuk ka hyrë ende në fazën e zbatimit.


