Rruga e varrezave në fshatin Risili rezulton e përfunduar sipas dokumentacionit zyrtar, por pamjet nga terreni tregojnë një realitet që ngre pikëpyetje të forta mbi cilësinë e investimit.
Sipas përllogaritjeve të publikuara, projekti parashikonte elementë bazë si skarpata anësore, sistem kanalizimi, sinjalistikë horizontale dhe një shtresë asfaltike me trashësi 10 cm. Megjithatë, ajo që shihet aktualisht në terren nuk duket të përputhet me këto specifikime, duke krijuar dyshime për zbatimin korrekt të projektit.

Edhe pa qenë ekspert, diferenca mes asaj që është premtuar dhe asaj që është realizuar është lehtësisht e dallueshme. Punimet nuk japin përshtypjen e një investimi cilësor, veçanërisht duke pasur parasysh rëndësinë që kjo rrugë ka për komunitetin lokal.
Një tjetër shqetësim lidhet me kompaninë zbatuese, “ASI INVEST” shpk. Sipas informacioneve, kjo kompani ka pasur edhe raste të tjera ku punimet nuk janë marrë në dorëzim nga Bashkia për shkak të cilësisë së dobët. Pavarësisht këtyre precedentëve, ajo vijon të shpallet fituese në procedura të ndryshme prokurimi publik.
Kompania në fjalë ka fituar tenderin për rikonstruksionin e kësaj rruge me një ofertë prej 8,997,050 lekësh pa TVSH, nga një fond limit prej 11,185,284 lekësh pa TVSH. Në garë kanë marrë pjesë tre operatorë ekonomikë dhe procedura është zhvilluar si e hapur për punë publike më 13 gusht 2025.

Afati për përfundimin e punimeve ka qenë 3 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
Në këto kushte, mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse do të kryejnë verifikimet e nevojshme mbi cilësinë reale të investimit dhe nëse kjo rrugë është marrë në dorëzim në përputhje me standardet e kërkuara.


