Banorët e zonës së Radhimës kanë ngritur shqetësimin për një ndërhyrje që po kryhet në tokat e tyre nga një firmë private, pa dhënë asnjë informacion zyrtar mbi arsyen apo bazën ligjore të punimeve.
Sipas denoncimit, mëngjesin e sotëm fadromat kanë hyrë në zonë dhe kanë nisur gërryerje masive të tokës, duke shkatërruar bimësinë dhe duke larguar shtresën e dheut. Banorët shprehen se nuk janë njoftuar paraprakisht dhe nuk dinë nëse bëhet fjalë për një projekt të miratuar apo për një ndërhyrje të paligjshme.
Ata kërkojnë transparencë nga institucionet përgjegjëse dhe verifikim urgjent të situatës, pasi dëmi, sipas tyre, është i konsiderueshëm dhe po prek drejtpërdrejt pronat e tyre.
Pritet një reagim nga autoritetet lokale për të sqaruar nëse punimet janë të autorizuara dhe mbi çfarë baze ligjore po zhvillohen.


