Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me zgjedhjet parlamentare në Kosovë, duke uruar kryeministrin Albin Kurti për rezultatin e arritur në procesin zgjedhor.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, kreu i shtetit vlerësoi zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë, të rregullt dhe demokratik, duke theksuar se ai dëshmoi edhe një herë forcën e institucioneve dhe kulturës demokratike të Kosovës.
Begaj përgëzoi qytetarët e Kosovës për pjekurinë e treguar gjatë votimit dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike në periudhën paszgjedhore.
Sipas presidentit, në këtë fazë është e domosdoshme që subjektet politike të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional, në funksion të stabilitetit politik, zhvillimit të vendit dhe përmbushjes së aspiratave të qytetarëve.
Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj Euroatlantik dhe Europian”, u shpreh Presidenti i Republikës.


