Armand Duka do të vazhdojë të drejtojë Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), pasi u rizgjodh në krye të institucionit gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore. Ky është mandati i tij i shtatë radhazi, ndërsa mban postin e presidentit që prej vitit 2002.
Asambleja u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku delegatët e klubeve dhe shoqatave rajonale vlerësuan drejtimin, vizionin dhe kontributin e Dukës në zhvillimin e futbollit shqiptar, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë organizativ dhe institucional. Kandidatura e tij u mbështet unanimisht nga 33 anëtarë të FSHF-së.
Gjatë drejtimit të tij, futbolli shqiptar ka regjistruar arritje të rëndësishme, përfshirë dy kualifikime historike të Kombëtares Shqiptare në Kampionatin Evropian. Procesi i votimit u zhvillua sipas parashikimeve statutore dhe garantoi pjesëmarrjen e plotë të delegatëve.
Me rizgjedhjen e tij, struktura drejtuese e futbollit shqiptar siguron vazhdimësinë për katër vitet e ardhshme. Prioritetet kryesore të mandatit të ri do të jenë përmirësimi i infrastrukturës sportive, rritja e cilësisë së futbollit vendas, si dhe mbështetja e talenteve të rinj dhe zhvillimi i ligave kombëtare.


