Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka zhvilluar sot vizitën zyrtare në Tiranë, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Në fokus të vizitës janë procesi i integrimit europian të Shqipërisë dhe hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në të njëjtën kohë, pranë godinës së Kryeministrisë janë mbledhur protestues, në një tubim të zhvilluar gjatë kohës së takimit Rama-Von der Leyen. Për protestën ishte bërë thirrje paraprakisht nga organizatorë dhe aktivistë, të cilët kishin njoftuar për grumbullimin pranë Kryeministrisë.
Policia ka vendosur forca dhe barriera pranë godinës qeveritare, ndërsa gjatë protestës është krijuar një situatë e tensionuar mes efektivëve dhe protestuesve. Pamjet nga vendngjarja tregojnë praninë e një numri të konsiderueshëm forcash policore dhe përplasjen e krijuar gjatë përpjekjeve të protestuesve për të avancuar drejt godinës së Kryeministrisë.
Ndërkohë, rreth 500 metra më tej, Ursula von der Leyen është pritur nga kryeministri Edi Rama në kuadër të vizitës zyrtare. Sipas agjendës së publikuar, takimi mes tyre është pasuar nga një konferencë e përbashkët për shtyp.
Vizita e Von der Leyen në Tiranë është pjesë e turit të saj në katër vende të Ballkanit Perëndimor, me ndalesa në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.


