Ish-drejtori i Operacionales dhe aktualisht drejtor i Policisë Vendore Korçë, Vilson Bala, është paraqitur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve që lidhen me biznesmenin Ergys Agasi.
Bala ka qëndruar rreth 40 minuta në ambientet e SPAK-ut dhe, pas daljes, ka shmangur pyetjet e gazetarëve lidhur me arsyen e paraqitjes dhe përmbajtjen e pyetjeve që i janë drejtuar nga hetuesit.
I pyetur nga gazetarët, Bala është shprehur me ironi: “Nuk e di pse kisha një parandjenjë që do isha këtu”.
Sipas raportimeve, ish-drejtori i Operacionales pritet të japë shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen, ndërsa emri i tij është lidhur me hetimet për kontaktet me Ergys Agasin.
Bala ka drejtuar më herët Policinë Vendore të Durrësit dhe, për këtë arsye, pritet të pyetet edhe për periudhën kur ka qenë në krye të Policisë së qytetit bregdetar.
Hetimet e SPAK lidhen me aktivitetin e Ergys Agasit, i cili është arrestuar së bashku me ish-zyrtarin Uljan Shpataraku. Në kuadër të hetimit, autoritetet po verifikojnë edhe lidhjet dhe kontaktet e personave të ndryshëm me biznesmenin.
Emri i Agasit është përmendur gjithashtu në dosjen ndaj ish-drejtores së SHISH, Vlora Hysenit, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Posaçme për dosjen vijojnë, ndërsa pritet të përcaktohet roli dhe përgjegjësia e personave që po merren në pyetje në kuadër të çështjes.


