Një operacion i koduar “Motoristi” ka çuar në arrestimin e dy personave në Lushnjë, të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike.
Sipas Policisë së Fierit, në kuadër të operacionit janë sekuestruar rreth 320 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, municion luftarak, peshore elektronike dhe 6 celularë.
Mes të arrestuarve është edhe 31-vjeçari Eduart Sharka, i cili dyshohet se shpërndante doza kokaine në qytetin e Lushnjës duke përdorur motomjetin me të cilin punonte për shpërndarjen e porosive ushqimore.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti 318 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, ndërsa në banesën e 39-vjeçarit Skerdilajd Gjoni u gjet një tjetër sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Operacioni është zhvilluar pas disa muajsh hetime nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Finalizohet, pas disa muajsh hetime, operacioni i koduar “Motoristi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.
Sekuestrohen rreth 320 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, municion luftarak, peshore elektronike, grirëse bimësh narkotike dhe 6 celularë.
Identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas që shisnin doza kokaine në zona të ndryshme në Lushnjë dhe posedonin sendet e kundërligjshme.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, pas disa muajsh hetime të kryera me metoda proaktive, organizoi dhe finalizoi, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin e koduar “Motoristi”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
* E. Sh., 31 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në qytetin e Lushnjës, duke përdorur motomjetin me të cilin shpërndante porosi ushqimi. Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 318 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 1 peshore elektronike, fishekë për armë zjarri, 1 grirëse bimësh narkotike dhe 3 celularë;
* S. Gj., 39 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në qytetin e Lushnjës. Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 3 celularë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


