Janë zbardhur detaje të reja nga negociatat mes Policisë dhe 35-vjeçarit Refit Buzi, gjatë momentit kur 24-vjeçarja Rozalinda Plaku mbahej peng në automjet, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Roskovec.
Fillimisht, 35-vjeçari ka kundërshtuar ta lironte të renë dhe ka paralajmëruar efektivin të mos afrohej. Megjithatë, shefi i Policisë së Roskovecit, Mariglen Korroveshaj, ka vijuar negociatat për ta bindur atë që të lironte 24-vjeçaren.
“Vajzës mos i bëj keq!”, i drejtohet efektivi në një moment, ndërsa Buzi përgjigjet: “Nuk e liroj, mos u afro”.
Pas disa minutash negociata, 35-vjeçari pranon ta lërë të lirë të renë dhe i thotë efektivit: “Vajzën ta besoj ty, eja merre”.
Efektivi afrohet dhe merr 24-vjeçaren në krah, duke e larguar disa metra nga automjeti ku ajo mbahej peng. Më pas, ai e vendos të renë në anë të rrugës dhe rikthehet pranë makinës për të vijuar negociatat me autorin.
Pavarësisht përpjekjeve të policisë për ta bindur që të dorëzohej, Buzi refuzoi të negocionte më tej dhe, pas disa orësh i rrethuar brenda automjetit, dyshohet se i dha fund jetës me armën e gjahut që mbante me vete.
Ngjarja e rëndë kishte nisur mëngjesin e 24 korrikut, kur Refit Buzi shkoi i armatosur në banesën e familjes së ish-partneres së tij në Vidhishtë të Roskovecit dhe hapi zjarr ndaj familjarëve të saj. Babai i 24-vjeçares, Kosta Plaku, humbi jetën në vend, ndërsa nëna e saj, Belere Plaku, ndërroi jetë më vonë në spital, si pasojë e plagëve të marra.

Sipas informacioneve të bëra publike, 24-vjeçarja dhe autori kishin qenë të fejuar disa vite më parë, por lidhja ishte ndërprerë nga e reja. Rozalinda vijonte studimet për infermieri në Tiranë, ndërsa Buzi ishte kthyer nga emigracioni pas disa vitesh qëndrimi në Angli.
Familjarët e 24-vjeçares pretendojnë se 35-vjeçari nuk e kishte pranuar ndarjen dhe se e kishte kërcënuar vazhdimisht. Ndërkohë, familjarët e autorit kanë dhënë një tjetër version për konfliktin, duke pretenduar se përplasja mes tyre lidhej edhe me një shumë parash që Buzi i kishte dërguar ish-partneres gjatë kohës që jetonte në Angli.


