Mbi 220 mijë persona janë evakuuar ose urdhëruar të largohen nga banesat në Francë dhe Spanjë, ndërsa zjarret masive kanë përfshirë zona të gjera në të dyja vendet, të favorizuara nga temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta.
Në jugperëndim të Francës, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e rreth 200 mijë personave në rajonet Gironde dhe Landes. Vetëm pranë Bordosë, rreth 60 mijë banorë janë evakuuar si masë paraprake.

Zjarri në Gironde, i cilësuar nga autoritetet si një zjarr me përmasa ekstreme, ka përshkuar më shumë se 19 mijë hektarë pyje dhe ka shkatërruar rreth 80 banesa. Gjithashtu, i gjithë gadishulli Cap Ferret është evakuuar, ndërsa qindra persona janë larguar me varka.
Në Spanjë, situata është gjithashtu kritike. Një zjarr i madh pranë Madridit është cilësuar si përtej kapaciteteve aktuale të zjarrfikësve për t’u vënë nën kontroll, pasi tre vatra janë bashkuar në një front të vetëm zjarri.
Rreth 25 mijë persona janë urdhëruar të evakuohen, ndërsa afro 40 mijë të tjerë janë këshilluar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura. Tetë bashki janë evakuuar, ndërsa në disa zona të tjera është vendosur izolim i banorëve.
Në rajonin e Madridit janë djegur të paktën 6 mijë hektarë tokë, ndërsa zjarri në provincën Ávila ka përshkuar afro 9 mijë hektarë. Forcat e Njësisë Ushtarake të Emergjencave janë angazhuar për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat e banuara.

Autoritetet spanjolle paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet për shkak të erërave të forta, të cilat po përhapin prushin në distanca të mëdha dhe po favorizojnë kalimin e zjarrit nga një zonë në tjetrën.
Edhe në Francë, Presidenti Emmanuel Macron ka mobilizuar ushtrinë për të ndihmuar në përballimin e situatës. Franca ka aktivizuar gjithashtu mekanizmin e mbrojtjes civile të Bashkimit Evropian për të siguruar mbështetje dhe mjete shtesë për shuarjen e zjarreve.
Situata në të gjithë Europën jugore mbetet shqetësuese, pasi valët e të nxehtit dhe thatësira e zgjatur po krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve. Sipas të dhënave europiane, zjarret kanë djegur këtë vit më shumë sipërfaqe në Europë sesa mesatarja vjetore e dy dekadave të fundit.


