Protestuesit janë mbledhur edhe këtë të premte përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë, duke shënuar ditën e 48-të radhazi të tubimit.
Ashtu si në ditët e mëparshme, pjesëmarrësit mbajtën fjalime dhe shpalosën flamuj kombëtarë e pankarta me mesazhe kundër klasës politike, ndërsa vijuan thirrjet për ndryshime politike dhe institucionale në vend.
Gjatë tubimit u prezantua edhe një nismë e një grupi akademikësh shqiptarë nga diaspora, të organizuar në rrjetin Global Albania Academic Network, të cilët po hartojnë një raport alternativ për vitin 2026 mbi demokracinë, reformat dhe funksionimin e institucioneve në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sipas pedagoges dhe doktorantes në Suedi, Sindi Sheri, raporti nuk synon të zëvendësojë dokumentet zyrtare të institucioneve evropiane, por të ofrojë një këndvështrim akademik mbi situatën në vend, bazuar në përvojën e studiuesve shqiptarë në diasporë.
Organizatorët bëjnë me dije se raporti do të prezantohet në një konferencë që pritet të zhvillohet në Tiranë më 24-25 tetor, ndërsa ftojnë akademikë të tjerë shqiptarë të kontribuojnë në hartimin e tij.


