Një histori e pazakontë ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane dhe rrjeteve sociale. Rreth 300 shezlongë, të cilët u vodhën në vitin 2024 nga resorti Onde Chiare në Reggio Emilia, janë identifikuar në një plazh në Kepin e Rodonit, në Shqipëri.
Sipas menaxherëve të resortit italian, shezlongët mbajnë ende logon e biznesit të tyre dhe u zbuluan fillimisht nga një turiste italiane, e cila gjatë pushimeve në Shqipëri u dërgoi fotografi pronarëve të resortit.
Pas këtij zbulimi, pronarët nisën procedurat ligjore për rikthimin e pajisjeve, me një vlerë të vlerësuar mbi 45 mijë euro, duke angazhuar avokatë si në Itali ashtu edhe në Shqipëri.
Megjithatë, sipas tyre, një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale tregon se shezlongët vazhdojnë të përdoren në të njëjtën strukturë turistike në Kepin e Rodonit.
Menaxherët e resortit shprehen se nuk është ende e qartë se si shezlongët kanë përfunduar në Shqipëri. Ata nuk përjashtojnë mundësinë që pajisjet të jenë blerë pa dijeninë se ishin të vjedhura ose të kenë kaluar nga një pronar te tjetri.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, resorti italian u bëri thirrje mediave dhe autoriteteve që të ndihmojnë në zbardhjen e rastit, duke shpresuar se ekspozimi publik do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes.
Deri në këtë moment, autoritetet shqiptare nuk kanë reaguar zyrtarisht lidhur me rastin.


