Një pikë e shërbimeve të telefonisë celulare në Durrës është bërë objekt i një grabitjeje pasditen e kësaj të premteje, ku një i ri dyshohet se ka marrë një shumë parash dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Sipas informacioneve paraprake, autori ka hyrë në ambientet e biznesit dhe ka kërcënuar punonjësen, duke i marrë paratë nga sirtari i arkës. Më pas ai është larguar në drejtim të paditur.
Policia bën me dije se autori i dyshuar nuk ka qenë i armatosur, ndërsa menjëherë pas ngjarjes janë ngritur grupe hetimore për identifikimin dhe kapjen e tij.
Në kuadër të hetimeve, efektivët kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së biznesit, të cilat po analizohen për të zbardhur dinamikën e grabitjes dhe për të bërë të mundur identifikimin e autorit.
Hetimet vijojnë, ndërsa policia po punon për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.


