Prej disa ditësh, autoritetet po vijojnë kërkimet për gjetjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i zhdukur që prej datës 4 qershor. Rasti po hetohet nga strukturat e Policisë së Tiranës, ndërsa pista kryesore ku janë përqendruar hetimet është ajo e një rrëmbimi të mundshëm.
Sipas informacionit paraprak, familjarët humbën kontaktet me 34-vjeçarin më 4 qershor dhe një ditë më pas denoncuan zhdukjen e tij pranë autoriteteve. Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë fiksuar për herë të fundit duke lëvizur me motor, duke shënuar kështu gjurmën e fundit të dokumentuar të tij.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka arritur të lokalizojë motomjetin e Koçit, si dhe një ambient ku dyshohet se ai ka qëndruar para se të humbte çdo kontakt me familjarët. Gjithashtu, është sekuestruar një automjet që dyshohet se mund të jetë përdorur për transportimin e 34-vjeçarit.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë shpallur në kërkim 41-vjeçarin Armand Shaka, i cili dyshohet se ka lidhje me ngjarjen. Ndërkohë, një 25-vjeçar është arrestuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar personin e shpallur në kërkim pas zhdukjes së Koçit.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se, përveç pistës së rrëmbimit, nuk përjashtohet as mundësia e një krimi të rëndë. Megjithatë, deri në këto momente nuk është gjetur asnjë provë që të sqarojë fatin e 34-vjeçarit.
Kërkimet vijojnë në disa zona të Tiranës dhe përreth saj, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje misterioze që ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi fatin e Eglant Koçit.


