Dy persona kanë humbur jetën pasi një avion privat u rrëzua dhe shpërtheu në flakë gjatë një uljeje emergjente në Aeroportin Ndërkombëtar La Romana, në Republikën Dominikane.
Sipas autoriteteve, avioni tip Gulfstream G200, i regjistruar në Shtetet e Bashkuara, ishte nisur drejt Austin, në Teksas, kur ekuipazhi raportoi probleme të rënda mekanike dhe shpalli emergjencë.
Mësohet se avioni ndodhej rreth 16 milje detare në jugperëndim të La Romanës kur piloti vendosi të kthehej për një ulje emergjente. Megjithatë, sapo preku pistën, mjeti ajror humbi kontrollin, u përplas dhe u përfshi menjëherë nga flakët.
Si pasojë e aksidentit humbën jetën piloti dhe bashkëpiloti, të cilët ishin të vetmit persona në bord në momentin e ngjarjes.
Instituti Dominikan i Aviacionit Civil (IDAC) dhe Komisioni i Hetimit të Aksidenteve të Aviacionit (CIAA) kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Në një deklaratë zyrtare, autoritetet konfirmuan se janë aktivizuar të gjitha procedurat përkatëse dhe se informacionet e mëtejshme do të bëhen publike pas avancimit të hetimeve.
Deri më tani, shkaku i saktë i rrëzimit nuk është përcaktuar zyrtarisht.


