Është identifikuar viktima e aksidentit tragjik që ndodhi dy net më parë në autostradën Fier–Vlorë, në zonën e Novoselës, ku një person humbi jetën pasi u përplas nga një automjet teksa dyshohet se po tentonte të kalonte rrugën.
Fillimisht, identiteti i viktimës nuk ishte bërë i ditur për shkak të dëmtimeve tepër të rënda që kishte pësuar trupi nga përplasja. Sipas informacioneve të siguruara më pas, viktima është Erjona, një grua e njohur për shumë qytetarë të Vlorës, e cila prej vitesh jetonte në rrugë dhe përballej me vështirësi të shumta sociale e ekonomike.
Sipas personave që e njihnin, Erjona kishte vite që endej nëpër rrugët e qytetit, duke jetuar në ambiente të braktisura, lulishte apo vende të ndryshme pranë qendrës së Vlorës. Gjatë stinës së dimrit, shpeshherë persona të ndjeshëm e ndihmonin duke i ofruar një vend ku të kalonte netët.
Historia e saj ishte bërë e njohur edhe vite më parë, kur ajo kishte kërkuar ndihmë për të gjetur vajzën e saj, e cila ishte marrë nën kujdes institucional. Kohët e fundit, sipas dëshmive të qytetarëve, ajo qëndronte kryesisht pranë Pallatit të Kulturës në Vlorë, ku herë pas here ndihmonte me punë të ndryshme si pastrime apo transport materialesh.
Persona që e njihnin tregojnë se, pavarësisht vështirësive të jetës dhe problemeve të shëndetit mendor me të cilat përballej së fundmi, Erjona përpiqej të mbijetonte me ndihmën e qytetarëve dhe të njerëzve që i qëndronin pranë.
Aksidenti ku ajo humbi jetën rezultoi tepër i rëndë. Përplasja ishte aq e fortë sa trupi pësoi dëmtime ekstreme, duke e bërë të vështirë identifikimin e menjëhershëm të viktimës. Burime bëjnë me dije se u deshën procedura shtesë identifikimi për të konfirmuar identitetin e saj.
Lajmi i ndarjes nga jeta të Erjonës ka prekur shumë qytetarë të Vlorës që e kishin njohur ndër vite. Historia e saj po rikthen edhe një herë vëmendjen te personat në situatë rruge dhe nevoja për më shumë mbështetje sociale për njerëzit që jetojnë në kushte të tilla.
Pushofsh në paqe, Erjonë.


