Në fillim të këtij viti, Bashkia Himarë nisi procedurat për krijimin e një shoqërie të quajtur “Himara Invest”, me synimin e deklaruar për menaxhimin e pronave dhe gjenerimin e të ardhurave nga asetet publike. Projekti u tërhoq përkohësisht pas reagimeve publike, por zhvillimet e fundit tregojnë se qasja ndaj pronave në zonë nuk ka ndryshuar thelbësisht, por vetëm formë.
Sipas dokumenteve të siguruara, Bashkia Himarë ka hapur një procedurë prokurimi me fond limit rreth 50 milionë lekë pa TVSH, me objekt të deklaruar “menaxhimi i pronave për disa fshatra”. Megjithatë, përmbajtja e kontratës shkon përtej një shërbimi administrativ të thjeshtë.
Sipas dokumentacionit, një subjekt privat pritet të përfshihet në një proces të ndjeshëm që lidhet me regjistrimin fillestar të pasurive, hartimin e hartave kadastrale, verifikimet në terren dhe ndërtimin e një baze të dhënash për mbi 7300 pasuri në disa zona të Himarës si Çorraj, Fterrë, Gjilekë, Kallarat, Pilur dhe vetë Himara.

Në praktikë, kjo do të thotë se një kompani private do të ketë rol të drejtpërdrejtë në sistemimin e të dhënave që lidhen me pronësinë dhe kufijtë e tokave, një proces që zakonisht është kompetencë e institucioneve shtetërore.
Kjo qasje ka ngritur pikëpyetje në opinionin publik, sidomos për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ka çështja e pronave në zonën e Himarës, ku konfliktet dhe paqartësitë historike mbi tokën janë ende të pranishme.
Vetë Bashkia Himarë, në dokumentacionin shoqërues, pranon problematika serioze në sistemin aktual të regjistrimit të pronave, përfshirë mospërputhje mes zonave kadastrale dhe regjistrime të dyfishta për disa familje. Gjithashtu evidentohet mungesë kapacitetesh teknike dhe njerëzore për menaxhimin e situatës.
Këto problematika janë përdorur si argument për përfshirjen e një subjekti privat në proces.
Megjithatë, kritikët e kësaj qasjeje ngrejnë shqetësimin se delegimi i një procesi kaq delikat mund të krijojë hapësira për interpretime dhe ndikime të ndryshme në përcaktimin e pronësisë dhe kufijve të tokës, në një zonë ku këto çështje janë historikisht të debatueshme.
Në këtë kontekst, roli i Bashkisë Himarë dhe drejtimi i saj politik po vihen gjithashtu nën vëmendje, ndërsa disa vëzhgues e shohin këtë zhvillim si një moment që kërkon transparencë maksimale dhe sqarim të plotë publik mbi mënyrën se si do të zbatohet kontrata.

Mbetet për t’u parë se si do të funksionojë në praktikë ky model i ri i menaxhimit të të dhënave pronësore dhe nëse ai do të sjellë zgjidhje për problematikat ekzistuese apo do të hapë debate të reja mbi administrimin e pronave në një nga zonat më të ndjeshme bregdetare të vendit.


