Katër shtetas shqiptarë janë arrestuar të martën në Serbi pasi shfaqën simbole kombëtare gjatë qëndrimit të tyre në territorin serb.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë, ndaj të ndaluarve rëndon akuza për “nxitje të urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, një vepër penale e parashikuar në legjislacionin e vendit.
Autoritetet bëjnë me dije se një prej të ndaluarve kishte publikuar një video në rrjetet sociale ku shihet duke udhëtuar me një automjet tip “Audi” së bashku me tre personat e tjerë. Në pamjet e shpërndara, ata lëvizin në autostradë, ndërsa mbajnë bluza me simbole kombëtare shqiptare dhe referenca ndaj asaj që njihet si “Shqipëria Etnike”.
Mediat serbe raportojnë se arrestimi u krye menjëherë pas identifikimit të tyre dhe ndalimit të automjetit nga patrullat policore. Të ndaluarit janë mbajtur në paraburgim për 48 orë, ndërsa çështja pritet t’i kalojë prokurorisë në Beograd për procedura të mëtejshme.


