Detaje të reja janë zbuluar lidhur me ngjarjen e rëndë në Roskovec të Fierit, ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj vrau me armë gjahu bashkëshorten e tij, 75-vjeçaren Dashuri Rrapaj, dhe më pas i dha fund jetës. Sipas burimeve të policisë djali i çiftit në dëshminë e tij, ka treguar se në momentin e ngjarjes ndodhej në Fier për një konsultë mjekësore, fakt i konfirmuar edhe nga kamerat e sigurisë.
Ai ka deklaruar se i ati kishte natyrë konfliktuale dhe se përplasjet në familje nuk kanë qenë të shpeshta. Madje, një nga debatet e fundit kishte ndodhur vetëm 10 ditë para krimit, për një çështje banale, plehërimin e patateve në oborrin e shtëpisë.
Sipas tij, konflikti kishte degraduar deri në komisariatin e Roskovecit, ndërsa në këto përplasje, nëna zakonisht mbështeste të birin.
Djali ka rrëfyer se, pasi u kthye nga Fieri, i gjeti të dy prindërit të pajetë në banesë. Fillimisht ka njoftuar një të afërm dhe më pas policinë.
Burime nga Policia bëjnë me dije se arma e përdorur ishte e vjetër dhe dyshohet se mbahej e fshehur nën tokë, pasi është gjetur me dhe. Nga këqyrja paraprake rezulton se arma është shkrepur dy herë: një herë ndaj bashkëshortes dhe më pas ndaj vetes.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në këtë tragjedi familjare.


