Emrat janë në vendimin e KKT-së. Projekti është aty. Ajo që mungon është përgjigjja kryesore: kush e financon “Jala Retreat”?
Nëpërmjet miqësisë me Linda Ramën, Eni Vasili u bë Drejtoreshë e RTSH, Anëtare e Bordit të INSTAT, ka përfituar reklama mediatike e projekte financiare nga qeveria në emër të firmës së saj “Open Media & Marketing Consulting” sh.p.k, ndërsa i vëllai Redi Vasili, është emëruar Shef Sektori i Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Vetëm 6 muaj para se të emërohej Drejtoreshë e RTSH, Eni Vasili filloi biznesin e ndërtimeve turistike në bregdetin e Himarës, maskuar pas emrit të vëllait hetues tatimor, Redi Vasili, paçka se ai nuk figuron i regjistruar si subjekt biznesi në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Me Vendim Nr. 21, datë 20 nëntor 2024 të Këshillit Kombëtar të Territorit, firmosur nga kryeministri Edi Rama, vëllait të Eni Vasilit iu dha leja e ndërtimit për kompleksin rezidencial “Jala Retreat” në Jalë të Himarës, bashkë me shtetasit Admir Dida e Blerina Mustafaraj dhe ndërtuese kompania “Dion Al” sh.p.k.
Sipas vendimit të lejes së ndërtimit, projekti i këtij kompleksi rezidencial, është me vila 2 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht nëntokë dhe me pishina e mur rrethues, me shesh ndërtimi 4800 m2 pranë plazhit të Jalës në Himarë.
Në vendimin që ka firmosur kryeministri Edi Rama, për lejen e zhvillimit dhe ndërtimit të kompleksit rezidencial “Jala Retreat”, nuk deklarohet vlera dhe burimi financimit, nga vëllai i Eni Vasilit me dy bashkë-investuesit e tij.
Nga cilët burime i kanë siguruar paratë për ndërtimin e kompleksit më vila e pushina në Jalë?
Sepse ato nuk ndërtohen dhe nuk mobilohen dot me pagën e Redi Vasilit si zyrtar tatimesh dhe as me pagën e Eni Vasilit si moderatore e prej 1 viti Drejtoreshë e Radio Televizionit Shqiptar.

Madje nuk ka mundësi, që finacimet t’i sigurojë as nëpërmjet firmës “Open Media & Marketing Consulting” të Eni Vasilit, sepse këtë biznes e ka filluar më 18 qershor 2024 dhe e ka me kapital 100 mijë lekë e pa deklaruar aktivitet financiar në tatime./Pamfleti


