Një foshnjë vetëm 2-muajshe nga Korça ka ndërruar jetë në QSUT, ku ishte dërguar me urgjencë për trajtim të specializuar për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Sipas burimeve paraprake, foshnja mbërriti në spital gjatë ditës së djeshme, 13 mars, në gjendje kritike. Pavarësisht përpjekjeve intensive të mjekëve për ta stabilizuar, foshnja nuk ka mundur të mbijetojë dhe ndërroi jetë vetëm disa orë pas mbërritjes.
Rasti është marrë në shqyrtim nga organet hetimore. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se materialet i janë referuar Prokurorisë së Korçës, e cila do të vijojë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.
Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, ndërsa një nga dyshimet paraprake lidhet me kequshqyerjen. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që foshnja të ketë pasur probleme të tjera shëndetësore që prej lindjes.
Pritet që ekspertiza mjeko-ligjore dhe hetimet e mëtejshme të japin më shumë dritë mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.


